Përralla – Gjeli, qeni dhe dhelpra

Na rronin njëherë një plak e një plakë. Ata ishin shumë të varfër. Nuk kishin gjë tjetër, veç një gjel e një qen.
Një ditë qeni i tha gjelit:
Eja, gjel i dashur, të shkojmë në pyll, të gjejmë ndonjë gjë për të ngrënë.
U nisën. Kur po errej, u futën në pyll dhe zgjodhën për të fjetur një pemë me zgavër. Gjeli hipi në pemë, qeni u fut në zgavër.

Në mëngjes gjeli nisi të këndonte: ki!- kii! – kiii!
Me ta dëgjuar dhelpra, iu afrua pemës dhe filloi të lavdëronte gjelin.
– Sa i bukur qenke, o gjel! Sa zë të ëmbël që paske! Eja sot për drekë tek unë, se të dua shumë!
– Mirë, – i tha gjeli, – por unë kam edhe një shok.
– Ku është shoku yt? – pyeti dhelpra.
– Ja, atje, në zgavër, iu përgjigj gjeli.
Dhelpra iu afrua zgavrës dhe futi kokën.
Qeni e kapi për fyti dhe e mbyti. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *